Milan ka fituar 2-1 ndaj Como në “San Siro” në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të në Serie A. Ekipi i drejtuar nga Cesc Fabregas gjeti i pari golin e avantazhit në minutën e 35-të.

Një aksion perfekt i Como, ku Nico Paz asiston dhe Lucas Da Cunha dërgon topin në rrjetë me një goditje të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Como-n.

Pjesa e dytë nisi vrullshëm. Fillimisht Lucas Da Cunha, pasi mori një top në krah dhe një aksioni personal, dërgoi topin në rrjetë. Festa e lojtarëve të Como-s u prisht nga ndërhyrja e VAR. Goli i Da Cunha u anullua për pozicion jashtë loje.

Pak minuta më vonë, Milan kundërpërgjigjet më së miri duke barazuar shifrat me Pulisic. Një super pasim i Reijnders për amerikanin, i cili nuk e kishte të vështirë për të dërguar topin në rrjetë dhe për të barazuar shifrat në 1-1.

Goli i përmbysjes për kuqezinjtë do të vintë në minutën e 75-të, Abraham asiston për Reijnders, holandezi shënon golin e avantazhit për Milan.

Në fund të ndeshjes pati dhe dy kartonë të kuq për miqtë. Fillimisht u ndëshkua Dele Alli, për ndërhyrje të rrezikshme ndaj kundërshtarit. Anglezi debutoi sot me Como-n dhe u rikthye në fushë pas 2 vitesh mungesë, por doli jashtë vetëm pas 10 minutash lojë. Në fund pati karton të kuq edhe për Cesc Fabregas për protesta ndaj arbitrit.

The post Milan përmbys Como-n, Dele Alli rikthehet në fushë pas 2 vitesh dhe del pas 10 minutash (video) appeared first on Telesport.