U deshën 8 muaj për të ndërtuar një skuadër të re, me një revolucion teknik dhe mentaliteti, por vetëm një muaj për ta shkatërruar gjithçka. Nga fitorja ndaj PSV dhe Interit te tronditjet në Eindhoven dhe Firence, duke kaluar nga poshtërimi në shtëpi kundër Atalantës dhe eliminimi turpërues në Kupën e Italisë nga Empoli, gjithçka ka ndryshuar në pak javë për Juventusin.

Nëse loja sulmuese e premtuar nga Thiago Motta kurrë nuk u pa realisht në fushë, më shqetësues është fakti që skuadra bardhezi ka humbur çdo lloj reagimi në momentet vendimtare. Tri humbje radhazi në ndeshjet e mëdha kanë sjellë një ndjesi pafuqie totale, diçka që tifozët bardhezinj nuk e kanë përjetuar shpesh në histori. Dhe ata tashmë e tregojnë me gisht përgjegjësin: Thiago Motta.

Pak para pranverës, në muajin vendimtar për sezonin, Juventusi shfaqet pa identitet dhe plot kontradikta taktike. Nëse muajt e parë u justifikuan me nevojën për adaptim dhe ndërtim, humbjet kundër PSV, Atalantës dhe Fiorentinës kanë thelluar një hendek që është vështirë të rikuperohet.

Tifozët janë revoltuar, si në rrjetet sociale, ashtu edhe në stadium. Por jo vetëm trajneri është në shënjestër. Edhe drejtuesit dhe lojtarët, dikur të adhuruar, tani janë të kritikuar ashpër.

Problemet nuk ndalen vetëm te taktikat dhe rezultatet. Çështjet Yildiz dhe Vlahovic po hapin gjithashtu polemika. Turku dhe serbi, dy nga lojtarët më të talentuar të skuadrës, kanë kaluar disa nga ndeshjet më të rëndësishme në stol.

Nëse investimet e verës nuk japin rezultat dhe lojtarët kyç nuk aktivizohen, atëherë është e qartë se diçka nuk po funksionon në këtë projekt. Revolucion apo jo, kaos është fjala që përshkruan më së miri Juventusin aktual.

Në letër, kualifikimi në Champions League mund të konsiderohej si objektivi minimal për Juventusin këtë sezon. Megjithatë, tifozët nuk janë të bindur se edhe kjo do të jetë e mjaftueshme për të konfirmuar Thiago Motta në pankinë.

Tensioni po rritet, klubi është në kaos, ndaj nuk përjashtohet as skenari që një tjetër revolucion të ndodhë këtë verë. Për momentin, e vetmja gjë e sigurt është se besimi te Motta po venitet me shpejtësi, ndërsa Juventusi ndodhet në udhëkryq, mes një projekti të dështuar dhe një të ardhmeje të pasigurt.

 

The post Juventusi në kaos total, Motta reziston. Për tifozët bardhezinj, gjithçka ka marrë fund appeared first on Telesport.