Dopieta e parë e shënuar nga Marcus Rashford me fanellën e Aston Villa. Sulmuesi ishte përsëri vendimtar në fitoren 3-0 që skuadra e Emery mori ndaj Preston North End në gjysmëfinalen e “FA Cup”.
Pas arritjes së gjysmëfinales, anglezi shprehu gjithë gëzimin e tij, duke treguar se largimi nga Manchester United ishte zgjedhja më e mirë për të rikthyer formën më të mirë dhe sidomos për të rifituar besimin e duhur.
“Është një ndjenjë e bukur, – ishin fjalët e tij për BBC. – Më duket se jam bërë gjithnjë e më i formë dhe po luaj më mirë që kur jam këtu. Natyrisht është bukur për një sulmues të shënojë gola gjithmonë, prandaj shpresoj që të vazhdoj kështu”.
Takimi në “Wembley” kundër Crystal Palace, në ndeshjen e vetme për të arritur në finale, është një tjetër sprovë për të dhe ekipin ku bën pjesë tashmë: “Duke qenë një ndeshje e vetme duhet të japim 100% në fushë dhe do të shohim se ku do të na çojë fati.
Sidoqoftë, mendoj se jemi një skuadër shumë ambicioze. Duam të fitojmë, duam të përpiqemi të arrijmë sa më larg në të gjitha garat. Gjithashtu duam të angazhohemi për t’u kthyer ndër katër të parët e Premier League”.
Për formën e tij fizike, sulmuesi anglez theksoi: “Po përparoj hap pas hapi. Mendoj se mund ta përmirësoj ende formën time, kam munguar në shumë ndeshje para se t’i bashkohesha kësaj skuadre. Pra, në këtë moment trupi im ndihet mirë, nuk kam lëndime dhe thjesht po e shijoj futbollin tim. Pra, tani për tani gjithçka po shkon mirë”.
The post Rashford ka “rilindur”, ja si i injoron “Djajtë e Kuq”: Tek Aston Villa po e shijoj përsëri futbollin appeared first on Telesport.
