Sipas ambasadorit të BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas, korrupsioni është sfidë e madhe për vendin dhe hap i domosdoshëm drejt ndryshimit të shpejtë dhe arritjes së reformave, transmeton TV21. Zëvendësambasadorja e SHBA-së Nikoll Varnes theksoi se lufta kundër korrupsionit është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe besimin social. Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall, theksoi se transparenca dhe zbatimi i ligjeve janë vendimtare për luftë të suksesshme kundër korrupsionit. Mesazhe të tilla janë dërguar në seancën konstituive të trupit ndërinstitucional për koordinimin e aktiviteteve kundër korrupsionit.

“Një kohë të gjatë qytetarët dhe spektri politik thonë se korrupsioni së shpejti do të përfundoj, por shumë pak ka ndryshime në praktikë dhe ne duhet të shohim ndryshimin dhe luftën e përshpejtuar kundër korrupsionit me qëllim që t’i jepet bazë reformave të vendosura”, tha Mihails Rokas – ambasador i BE-së në Shkup.

“Lufta kundër korrupsionit është faktor i cili e definon zhvillimin e ekonomisë, besimin social dhe konkurrencën e vendit në skenën globale. Lufta kundër korrupsionit nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë, por edhe me prosperitetin e një sistemi të drejtë ku ekonomia lulëzon”, potencoi Nikoll Varnes – zëvendësambasadore e SHBA-ve.