Java e 32-të e Premier League e ngriti siparin me ndeshjen Manchester City-Crystal Palace 5-2 (kliko për të parë 7 golat). Ky ballafaqim në “Etihad” solli drithërima për vendësit, të cilët e panë veten në disavantazhin e dy golave brenda 21 minutave lojë.

Ishte një shkundje e fortë kjo për Pep Guardiolën dhe të tijtë, të cilët reaguan dhe gjetën forca për ta barazuar rezultatin në pjesën e parë. Me barazimin 2-2, skuadrat shkuan në pushimin mes dy pjesëve.

Fraksioni i dytë i lojës shopalosi më së miri potencialin e Manchester City, që brenda 10 minutash shënoi edhe dy herë të tjera, duke e vënë në “shina” të sigurta përmbysjen e çmuar. Goli i pestë për vendësit, që mbylli gjithçka, erdhi pikërisht në minutën e 79-të.

Vlen të theksohet se në këtë ndeshje startoi si titullar De Bruyne, i cili ka njoftuar lamtumirën nga “qytetarët” kësaj vere. Madje, belgu shënoi golin e parë (33’) për vendësit, duke i hapur rrugën përmbysjes.

Më këtë 3-pikësh shumë të çmuar, skuadra e Guardiolës arrin vendin e katërt të Premier League, për momentin, në pritje të zhvillimit të ndeshjeve të tjera të kësaj jave. Nëse Chelsea dhe Newcastle fitojnë në sfidat e tyre respektive këtë fundjavë, atëherë “qytetarët” do të humbasin sërish dy vende nga klasifikimi aktual.

Gjithsesi, beteja për t’u kualifikuar në Champions-in e sezonit të ardhshëm (zënia e një vendi në top 5 të Premier League në fund të kampionatit në vijim) vazhdon për kampionët në fuqi anglezë.

Standings provided by Sofascore

The post Manchester City fiton me përmbysje dhe “flirton” me zonën Champions appeared first on Telesport.