Një nga lajmet më të rëndësishme nga ndeshja e Real Madridit kundër Alavés ishte prania e Davide Ancelottit si trajner kryesor, në vend të babait të tij, Carlo Ancelotti, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna për shkak të pezullimit (akumulimit të kartonëve të verdhë). Nuk ishte hera e parë për të, pasi gjatë pandemisë së Covid-19, gjithashtu e kishte drejtuar ekipin. “E kam shijuar shumë, në fillim isha pak nervoz, siç ndodh zakonisht me herët e para”, – pranoi ai.
Për ndeshjen: “Fitorja na jep besim. E dinim që nuk do të ishte e lehtë. Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes e bëri më të ndërlikuar, por fitorja na jep vetëbesim për çfarë duam të ndodhë të mërkurën”.
Për kartonin e kuq të Mbappé: “Nuk kam folur me të pas ndeshjes. Kylian nuk është një djalë i dhunshëm, kërkoi falje dhe e kuptoi çfarë bëri. Ishte një karton i kuq i pastër dhe ai i ka paguar pasojat. Faullet e shumta që iu bënë gjatë ndeshjes e shtynë të reagonte në mënyrë të gabuar. Nuk po e justifikoj, por kjo është ajo që ndodhi”.
Më e vështirë të përmbysin rezultatin 3-0 ndaj Arsenalit apo të fitojnë La Liga-n: “Të dyja janë të vështira, do të përpiqemi për të dyja. E dimë që duhet ta meritojmë, nuk mjafton vetëm cilësia. Duhet të shkojë gjithçka mirë. Të gjithë besojmë se do të luftojmë si në La Liga, ashtu edhe në Champions”.
Për Ceballos: “Dani është stërvitur mirë, ishte plotësisht i gatshëm, por zëvendësimi ishte për të fituar pak kohë, pasi ndeshja ishte bërë e çmendur. Është një lojtar që ka bërë mirë këtë sezon dhe do të na ndihmojë të mërkurën, qoftë si titullar apo nga stoli”.
Për thirrjet kundër Asensios: “Është zhgënjyese në nivel shoqëror ajo që po ndodh. Në fushë duhet të konkurrojmë, nuk jemi ne që marrim masa. Të gjithë shpresojnë që të mos ndodhin këto gjëra, por është zhgënjyese si shoqëri. Është gjyqtari ai që duhet të aktivizojë protokollin”.
Për rolin e tij në pankinë: “Gjithçka u përjetua me shumë natyrshmëri. Para dy vitesh, babai im kishte Covid dhe drejtova si trajner i parë. Babi gjithmonë më ka dhënë besim. Nuk kishte nevojë të më thoshte gjë. Kemi pasur komunikim, por në fund më la liri. Nëse jam këtu, është falë tij”.
The post Më e vështirë të përmbyset 3-0 ndaj Arsenalit apo të fitohet La Liga? Ja si përgjigjet Davide Ancelotti appeared first on Telesport.
