Lautaro Martinez po bën gjithçka për të qenë në fushë kundër Barcelonës. Edhe pse elongimi në muskujt fleksorë të kofshës së majtë kërkon kujdes maksimal deri të martën në orën 21:00, kapiteni i Interit tashmë e ndjen veten pjesë të ndeshjes.

Ai e di që do të jetë në “San Siro” dhe synon të zbresë në fushë, por sa minuta do të luajë, kjo varet nga një kombinim faktorësh: ndjesitë e tij personale, bisedat me Simone Inzaghin dhe stafin mjekësor, si dhe rëndësia kolosale e sfidës që vendos një vend në finalen e Champions League.

Të dielën mbrëma, Lautaro postoi një foto domethënëse në Instagram; i kthyer me shpinë, duke shfaqur muskujt gjatë stërvitjes. Shoqëruar me dy “emoji”: një orë rëre (si për të thënë “ka mbetur pak”) dhe një bateri (për të treguar “po karikohem për sfidën”). Marcus Thuram i është përgjigjur në mënyrë simbolike me një “emoji” ore alarmi, si për të thënë se “ThuLa” (dueti i tyre) po ribëhet.

Stërvitja e fundit është sprova vendimtare që do të përcaktojë nëse mund ta nisë si titullar apo jo ndaj Barcelonës, skenar që po bëhet gjithnjë e më i mundshëm me kalimin e orëve. Mungesat në stërvitje nuk përbëjnë problem për Lautaron, hallkë thelbësore e një mekanizmi që ai e njeh në detaje. Në këtë pikë të sezonit, me vetëm katër ose pesë ndeshje të mbetura, forma dhe autonomia fizike janë dytësore.

Nëse nuk do të jetë gati për ta nisur nga minuta e parë, atëherë do të jetë Taremi, ai që do të luajë nga fillimi ndaj Barcelonës. Sidoqoftë, vetëm ideja që Inzaghi mund të kthehet nga pankina dhe të shohë Lautaron gati për të hyrë në lojë, është avantazh emocional dhe teknik me peshë të jashtëzakonshme.

The post Lautaro “tregon muskujt” para Barcelonës, kapiteni drejt rikuperimit në kohë rekord appeared first on Telesport.