Ishte një sekret i hapur, por tani është zyrtare: këto do të jenë javët e fundit të Xabi Alonsos si trajner i Bayer Leverkusen. Lajmin e ka konfirmuar vetë ai, të premten, në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Borussia Dortmund.

Në këtë mënyrë, tekniku nga Tolosa i jep fund një aventure 2 vjeçare e gjysmë ëndrrash te klubi gjerman, ku mbërriti nga ekipi B i Real Sociedad. Ishte një “bast” i rrezikshëm, por përfundoi si sukses madhështor për Leverkusenin.

“Klubi dhe unë kemi një marrëveshje. Këto do të jenë ndeshjet e mia të fundit me Bayer Leverkusen. Besuam se ishte momenti i duhur për ta bërë publike. Gjithmonë kemi pasur një komunikim të shkëlqyer. Është një moment me shumë emocione, koha e duhur që ta ndajmë këtë lajm, por jo për të folur mbi të ardhmen, – tha Alonso në një konferencë prekëse.

– Besoj se ky është momenti më i mirë. Duhet ta shijojmë këtë periudhë. Sigurisht që është emocionuese, këtë mëngjes fola me lojtarët dhe stafin. Tani është momenti për ta ndarë si lajm, që ndeshja e së dielës të jetë e veçantë me tifozët.

Jam mirënjohës ndaj të gjithëve. Futbolli është çështje momentesh, ky ishte më i miri për të gjithë ne. Do të përpiqemi ta shijojmë deri në fund. Jam krenar për gjithçka kemi arritur, besoj se e kemi çuar klubin në drejtimin e duhur”.

Xabi Alonso do të largohet pas një sezoni historik me Leverkusenin: duke fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën, si dhe duke mbërritur në finalen e “Europa League” sezonin e kaluar. Një nga ciklet më të lavdishme në historinë e “Aspirinave”.

Pas këtij njoftimi, të gjitha rrugët e çojnë trajnerin iberik drejt Real Madridit. Ai shihet si pasardhësi i Carlo Ancelottit, i cili pritet të largohet më 25 maj, pas përfundimit të La Liga-s, me gjasë drejt stolit të kombëtares së Brazilit.

Një nga misteret që mbetet për t’u zgjidhur është trajneri i “Los Blancos” për Kupën e Botës për Klube. Real Madridi mund t’i besojë menjëherë Xabi Alonsos ose të zgjedhë një kalim të përkohshëm me Santiago Solarin, për të mos e ekspozuar Alonson menjëherë në një skenë kaq të madhe dhe të panjohur.

The post Tani është zyrtare, Xabi Alonso njofton largimin nga Bayer Leverkusen. Ja mesazhi prekës i tij appeared first on Telesport.