Valencia është kundër “Netflix”. Klubi spanjoll i ka shkruar platformës së njohur televizive pas transmetimit të dokumentarit “Baila Vini”, në të cilin protagonist është lojtari i Real Madridit, Vinicius Jr.
Në një pjesë të dokumentarit në fjalë, tifozët e Valencias përshkruhen si racistë, duke përdorur imazhe nga ndeshja në “Mestalla” kundër Real Madridit më 21 maj 2023, ajo e zemërimit të Vinicius, i cili u ndëshkua me karton të kuq për sulm ndaj Hugo Duro.
Valencia denoncon “manipulimin e imazheve”, veçanërisht një skenë ku fjala “tonto” (budalla), e thirrur nga një pjesë e publikut, në ekran përkthehet si “mono” (majmun), term që në këtë rast ka kuptim racist.
Sipas Valencias, ky dokumentar nuk pasqyron realitetin e ngjarjeve dhe dëmton rëndë imazhin e klubit. Përballë kësaj paraqitjeje që konsiderohet shpifëse, klubi ka nxjerrë një komunikatë:
“Në përgjigje të padrejtësive dhe pavërtetësive kundër tifozërisë së Valencia CF, klubi ka dërguar një kërkesë me shkrim tek producentët e dokumentarit lidhur me paraqitjen e tyre të ngjarjeve në ‘Mestalla’, e cila nuk korrespondon me realitetin. E vërteta dhe respekti për tifozët tanë duhet të mbizotërojnë. Valencia CF rezervon të drejtën për të ndërmarrë masa ligjore sipas situatës”.
The post Dokumentari për Vinicius tërbon Valencian, klubi spanjoll shpë*then ndaj “Netflix” appeared first on Telesport.
