Trajneri i Inter Miami, Javier Mascherano, nuk i kurseu superlativat për Messin, pas fitores 4-2 ndaj Montreal. Me këtë sukses, skuadra nga Florida ndaloi krizën, pasi kishte fituar vetëm një ndeshje në 8 përballjet e fundit. Trajneri argjentinas lartësoi patriotin e vet, i cili shënoi 2 gola: “Leo Messi është lojtari që çdo gjë që bën duket e lehtë, edhe në këtë fazë të karrierës.
Realiteti është se unë përpiqem të fokusohem jo vetëm tek ajo që bën në fushë, por edhe te dëshira për të luajtur. Shikoni se si përçon energji te skuadra, si konkurron. Është pasqyra ku të gjithë duhet të shohim veten. Ai na tregon rrugën për të konkurruar. Futbollistikisht, nuk ka më fjalë vlerësuese për të”.
Mascherano foli edhe për Luis Suárez, që gjithashtu shënoi dopietë: “Jam shumë i lumtur për të. Është një lojtar që ka shënuar shumë gola në karrierë. Kur kalojnë disa ndeshje pa shënuar, për të është e pazakontë. Sidoqoftë, ai nuk dorëzohet kurrë dhe kjo është cilësi që përçon te gjithë skuadra”.
Fitorja shënon fundin e një periudhe të vështirë për Inter Miami: “Pushoi stuhia dhe doli dielli. Në Miami stuhitë zakonisht nuk zgjasin shumë, por kjo zgjati pak më tepër. Kishim nevojë ta ndalonim këtë seri negative. Kisha ndjesi pozitive që nga pjesa e dytë në Filadelfia, jo vetëm për përmbysjen, por edhe mënyrën se si luajtëm kundër një kundërshtari të fortë. Jam shumë i lumtur për fitoren e sotme”.
The post Mascherano “përulet” para Messit: Është pasqyra ku të gjithë duhet të shohim veten appeared first on Telesport.
