Mesfushori portugez i PSG, Vitinha, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport” në prag të finales së madhe të Champions League kundër Interit, e cila do të luhet të shtunën e 31 majit në “Allianz Arena” të Mynihut. Ai ka folur për përgatitjen e skuadrës franceze, për rolin e trajnerit Luis Enrique dhe shkëlqimin e Ousmane Dembélé, të cilin e sheh tashmë në garë për “Topin e Artë”.

“Nuk besoj se përvoja do të jetë faktor vendimtar në këtë finale, – tha Vitinha. – Edhe pse jemi një skuadër më e re se Interi, kemi arritur në finale. Nuk është e shkruar askund që fiton gjithmonë skuadra me më shumë eksperiencë. Interi është një skuadër e madhe, do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi gati”.

Portugezi ka lartësuatr bashkëlojtarin e vet, Dembélé: “Për mua e meriton që tani ‘Topin e Artë’. Sidoqoftë, sezoni ende nuk ka përfunduar, shpresoj që finalja e Champions-it ta ndihmojë të imponohet. Sinqerisht, mendoj se çelësi i këtij sezoni ishte krijimi i një skuadre të vërtetë, me një lider të vërtetë si Luis Enrique. Mes lojtarëve, është e qartë që Dembélé spikat për cilësitë e tij”.

Pra, sipas Vitinha, tani PSG është më shumë skuadër, jo e varur nga individët yje, si dikur Neymar, Messi apo Mbappe: “Po, për PSG, ky është sezon më i mirë se i kaluari. E kishim paralajmëruar që do të bënim gjithçka për ta përmirësuar veten. Tani jemi më shumë skuadër, më shumë grup. Nuk ishte e lehtë, sepse në fillim, veçanërisht në Champions, e kishim të vështirë të shënonim. Na mungonte vetëm finalizimi, por kur u zhbllokuam, fituam besim dhe siguri në lojë. Prej aty bëmë hapin cilësor”.

Finalja e Champions-it ka edhe një simbolikë të veçantë për Gianluigi Donnarumma, ish-lojtarin e Milanit, që tani do të përballet me Interin.

“Gigio ka qenë një nga protagonistët tanë këtë sezon. Na ka shpëtuar në disa raste, kundër Arsenalit, Aston Villa dhe Liverpool-it. Kur luan në atë nivel, është portieri më i mirë në botë. Është kënaqësi dhe privilegj të luash me të”, – përfundoi Vitinha.

The post “Dembélé e meriton ‘Topin e Artë’ që tani. Përvoja? Në finalen ndaj Interit nuk do të bëjë diferencën” appeared first on Telesport.