Përballë temperaturave përvëluese, që në Shkup kanë arritur deri në 38 gradë Celsius, shumë qytetarë kanë zgjedhur të freskohen në natyrë. Një nga destinacionet më të frekuentuara është Matka, vetëm pak kilometra nga kryeqyteti. Pamjet tregojnë grupe njerëzish, qytetarë vendas dhe turistë, që kërkojnë strehë nën hijet e pemëve, shëtisin me varka, notojnë ose kalojnë çaste relaksi buzë ujit. Përveç freskisë natyrore që ofron, Matka mbetet një vend ideal edhe për ata që duan pak qetësi larg zhurmës urbane. Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndaj këshillojnë shmangien e qëndrimit në diell gjatë orëve të pikut dhe konsumim të lëngjeve.
