Claudio Ranieri ka refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e kombëtares italiane. Federata Italiane e Futbollit (FIGC) është tashmë e detyruar të rihapë garën për pasuesin e Luciano Spallettit.

Megjithëse emri i Stefano Piolit ka qenë ndër më të përfolurit, nuk është e thënë që zgjedhja do të bjerë mbi të. Trajneri nga Emilia është aktualisht i lidhur me Al Nassr dhe ndonëse gëzon respektin e presidentit Gabriele Gravina, në federatë është hapur një periudhë reflektimi.

Ka dy arsye pse pista “Pioli” nuk është më aq e sigurt:
Lirimi nga kontrata me Al Nassr nuk është një proces i lehtë dhe kërkon negociata të ndërlikuara.

Angazhimi i mundshëm me Fiorentinën. Sipas burimeve, Pioli i ka dhënë një “po” paraprake klubit vjollcë për rikthim në Serie A. Duke marrë parasysh se Ranieri refuzoi ta prishte marrëveshjen me Romën, FIGC mund të mos dëshirojë një tjetër përplasje me një klub italian, edhe pse në rastin e Piolit ende nuk ka një kontratë të nënshkruar.

Në selinë e federatës, në “Via Allegri”, pas “jo”-së së papritur të Ranierit, i cili në fillim ishte treguar shumë i entuziazmuar për të marrë rolin e trajnerit të Italisë, është hapur një periudhë qetësimi dhe vlerësimi.

Nuk përjashtohet që FIGC të orientohet drejt një tjetër emri me lidhje të forta me ngjyrat e kombëtares axurre. Dëshira ka qenë që emërimi të bëhej sa më shpejt, për të shmangur që pankina e Italisë të mbetej bosh për një kohë të gjatë, por tanimë do të nevojitet pak më shumë kohë për të marrë vendimin e duhur.

The post Ranieri refuzon stolin e kombëtares së Italisë, çfarë ndodh tani? Edhe Pioli nuk është më i sigurt… appeared first on Telesport.