Bankat Qendrore kineze dhe europiane zotohen për bashkëpunim më të ngushtë

Bankat Qendrore kineze dhe europiane u zotuan të rrisin bashkëpunimin në sfondin e një peizazhi ndërkombëtar kompleks dhe të paqëndrueshëm.

Pan Gongsheng, guvernatori i Bankës Popullore të Kinës (PBOC), dhe Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Europiane (BQE), bashkëkryesuan takimin e parë vjetor të guvernatorëve midis në Pekin, ku shkëmbyen pikëpamje mbi çështje si zhvillimet ekonomike dhe financiare në Kinë dhe Eurozonë, zhvillimet në sistemin monetar ndërkombëtar dhe rregullimin financiar, si dhe fushat kryesore për bashkëpunim midis dy institucioneve, shkruan “Xinhua”.

Të dyja palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Bankave Qendrore, i cili përfshin krijimin e një marrëveshjeje takimi në nivel guvernatori/presidenti, si dhe një kornizë për shkëmbimin e rregullt të informacionit, dialogut dhe bashkëpunimit teknik midis dy institucioneve.

Pan vuri në dukje se Kina mbetet e përkushtuar për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë përmes hapjes me standarde të larta dhe është e gatshme të rrisë bashkëpunimin me ekonomi të tjera, përfshirë BE-në, për të adresuar sfidat globale.

Ai theksoi gjithashtu se PBOC-ja do të ruajë bashkëpunim të ngushtë me BQE-në, duke e shfrytëzuar mirë marrëveshjen e takimit në nivel guvernatori/presidenti si një platformë kyçe për të forcuar komunikimin e politikave dhe për të promovuar bashkëpunimin midis dy institucioneve në një nivel të ri.

Lagarde tha se është e rëndësishme që të dy institucionet të ruajnë bashkëpunimin global, duke vënë në dukje se nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit është një demonstrim i dialogut të vazhdueshëm me PBOC-në.