Deputeti i Frontit Europian, Skender Rexhepi-Zejd në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend kritikoi Prokurorinë për veprimet në rastin për tragjedinë në diskotekën “Pulse” në Koçan, përcjell TV21. Rexhepi tha se kryeprokurori është në shërbim të qeverisë dhe se në këtë rast, janë lënë jashtë hetimit personat e afërt me pushtetin.

“Konsideroj që jo vetëm Prokuroria, por edhe gjyqësia në Maqedoninë e Veriut është që moti e kapur, dmth përfshirë edhe kohën e fundit. Loja që u bë mes kryeprokurorit dhe kryeministrit për shkarkimin, jo-shkarkimin e tij ishte arsye që kryeprokurori të vihet në shërbim të qeverisë, për intenca dhe qëllime politike. Ju e shihni shumë mirë se realiteti në ndodhinë tragjike në Koçan është larg asaj që duhet të jetë nga një hetuesi e pavarur, pasi që njerëzit zyrtarë, të afërt me qeverinë, janë lënë anash nga çdolloj hetimi dhe merren masa ndaj njerëzve të cilët, efekti i të cilëve duhet të jetë kryekëput politik dhe ndëretnik për fat të keq. E jona është që të diskutohen të gjitha lëshimet e mundshme që kanë ndodhur gjatë tragjedisë në Koçan, pavarësisht rezultateve që do të vijnë. Së paku opinioni të jetë i informuar me lëshimet që ka bërë pushteti, nëpërmjet ndikimit në Prokurori dhe Gjyqësi, që të anashkalohen përgjegjësit kryesorë nga rasti Koçanit, e pastaj si do të vendoset, mendoj se të gjithë e dini se përsëri Prokuroria do të jetë në shërbim të qeverisë dhe do të ndodhë ajo që pret qeveria, e jo ne”, tha Rexhepi.