Barcelona tregon me krenari përmirësimin ekonomik të klubit, duke u mbështetur te ndryshimi i vlerësimit të aftësisë së kreditit nga “i qëndrueshëm” në “pozitiv”, sipas njoftimit të bërë këtë të hënë nga agjencia e vlerësimit “Morningstar DBRS”.
“Ndryshimi i tendencës nga ‘e qëndrueshme’ në ‘pozitive’ mbështetet nga përmirësimi i performancës financiare të Futboll Klub Barcelona gjatë dy sezoneve të fundit, së bashku me pritshmërinë për përmirësime të mëtejshme falë të ardhurave më të larta që priten nga rikthimi i skuadrës në ‘Spotify Camp Nou’, si dhe nga kontrolli efektiv i kostove i zbatuar nga UEFA dhe La Liga. ‘Morningstar DBRS’ pret që klubi të gjenerojë fluks pozitiv të lirë parash dhe të tregojë aftësi për uljen e borxhit”, – thuhet në dokument.
“Morningstar DBRS” thekson se në vitin 2023, klubi lëshoi rreth 1.5 miliardë euro borxh përmes një kombinimi obligacionesh dhe huash për ndërtimin e stadiumit të ri në kuadër të projektit “Espai Barça”, përmes një fondi titullimesh (EB; fond i rregulluar, i pavarur nga klubi). Sipas “Morningstar DBRS”, projekti i rinovimit është në zhvillim të plotë dhe rreziku konsiderohet i kufizuar, ndërsa rikthimi në stadium pritet në gusht të vitit 2025, megjithatë me një kapacitet të reduktuar prej 62.000 vendesh. Si pasojë, agjencia ka shkëputur “EB” nga pasqyrat financiare të klubit.
Në raportin e vitit 2023 theksohet se klubi kishte të ardhura 761 milionë euro, 3% më pak krahasuar me vitin 2023, për shkak të zhvendosjes së përkohshme në stadiumin “Olimpic” të Montjuïc. Shpenzimi kryesor mbeten pagat, që përbëjnë rreth 70% të të ardhurave të zakonshme gjatë tri sezoneve të fundit.
Klubi ka ulur kostot e skuadrës dhe, si rezultat, ka arritur të gjenerojë “EBITDA” pozitiv, duke përjashtuar fitimet nga shitjet e lojtarëve, për herë të parë pas katër sezonesh. “Morningstar DBRS” parashikon që të ardhurat e Barcelonës të arrijnë në 1.1 miliardë euro deri në vitin fiskal 2027, të mbështetura nga rikthimi në stadiumin e rinovuar dhe me supozimin që skuadra e Flick do të renditet e dyta në kampionatin spanjoll çdo vit dhe do të arrijë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve çdo sezon.
Në fund, kompania bën edhe një parashikim për të ardhmen: “Morningstar DBRS’ parashikon që raporti i kostos së skuadrës të qëndrojë rreth 55% gjatë periudhës 2025-2029. Si pasojë, parashikohet që ‘EBITDA’, duke përjashtuar fitimet nga shitjet e lojtarëve, të jetë rreth 90 milionë euro më 2025 dhe rreth 100 milionë euro në afat mesëm, pas shërbimit të borxhit të ‘EB’ dhe duke supozuar që klubi do të mbajë një strukturë të qëndrueshme kostosh”.
The post Barcelona krenohet me rikuperimin ekonomik; 1.1 miliardë euro deri në 2027 appeared first on Telesport.
