Presidenti kinez Xi Jinping shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e fundit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje të gjitha palëve përkatëse të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Gjatë takimit në Astana, në kuadër të Samitit të dytë Kinë-Azi Qendrore, presidenti Xi Jinping dhe presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Xi shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e tensioneve të shkaktuara nga operacioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit.
Ai tha se veprimi ushtarak i Izraelit kundër Iranit ka shkaktuar një rritje të papritur të tensionit në Lindjen e Mesme dhe Kina është thellësisht e shqetësuar për këtë. “Ne kundërshtojmë çdo akt që kërcënon sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendeve të tjera. Konflikti ushtarak nuk është një mënyrë për të zgjidhur problemet dhe përshkallëzimi i tensioneve rajonale nuk është në interesin e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare. Të gjitha palët duhet të nxisin zbutjen e konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të luajtur një rol konstruktiv në rivendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme,” u shpreh Xi.
