Një burrë 34-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, do të ekstradohet në Gjermani, ku dyshohet për pjesëmarrje në një grabitje dhe vrasjen e një burri 81-vjeçar, përcjell TV21. Ekstradimi i tij është miratuar dje nga gjykata greke në Selanik, raportoi “Kathimerini”.
Burri ishte arrestuar në maj të këtij viti në pikën kufitare “Evzoni”, ku gjatë një kontrolli rutinë u zbulua se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest evropian.
Sipas dokumenteve të prokurorisë gjermane, veprat penale për të cilat kërkohet shtetasi i Maqedonisë, është kryer në shkurt të vitit të kaluar, në një qytet të vogël në landin gjerman Hesen.
“Dyshohet se i pandehuri kishte udhëtuar në Gjermani për qëllime pune së bashku me bashkëqytetarë dhe ishte vendosur në dhoma të marra me qira nga viktima. Sipas autoriteteve gjermane, autorët e kanë lidhur viktimën dhe i kanë mbyllur gojën, duke i marrë para nga shtëpia. Vdekja e tij është shkaktuar nga mbytja”, shkruan “Kathimerini”.
34-vjeçari ka kërkuar të mos ekstradohet në Gjermani, duke pretenduar se për familjen e tij që jeton në Veles do të ishte më lehtë ta vizitonte në një burg grek. Megjithatë, organet gjyqësore greke e ka refuzuar kërkesën e tij.
