Ministri i Punëve të Jashtme, në një intervistë për TV21 nga Haga, komentoi raportin, duke e quajtur ditën e sotme si historike. Sa i përket Bullgarisë, ai tha se politikanët bullgarë kanë rënë nën ndikimin e narrativës ruse, e cila ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit.

“Jam vërtet i zhgënjyer nga ajo që shoh nga fqiu ynë, si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga eurodeputetët nga Bullgaria fqinje. Ata, me vetëdije ose pa vetëdije, hynë në një narrativë klasike ruse që ka për qëllim destabilizimin e të gjithë rajonit, sepse kur nuk ka siguri në rrugën drejt integrimit europian, kjo nuk është një situatë produktive nga një këndvështrim rajonal. Unë gjithmonë i kam ftuar dhe do të vazhdoj t’i ftoj fqinjët tanë në Sofje që të bashkëpunojmë, të kemi dialog, por në të njëjtën kohë edhe të respektohemi”, tha Timço Mucunski.