Në Maribor të Sllovenisë ka përfunduar Kampionati Europian ekipor në atletikë, ku Shqipëria arriti të vendosë disa rekorde kombëtare. Pas atij të Franko Burraj në 400 metra, atleti shkodran shkëlqeu edhe në 200m.
Edhe në këtë disiplinë ai vendosi rekord të ri kombëtar, duke dhënë kohën 20”97. Një tjetër paraqitje e shkëlqyer e Burraj, që bëhet atleti i parë shqiptar që zbret nën 21 sekonda në këtë disiplinë, duke u renditur i dyti në këtë finale.
Rekord të ri kombëtar vendosi edhe atletja e hedhjes së çekiçit Yipsi Moreno. Ish-kampionia olimpike e Kubes, tashmë natyralizuar shqiptare, e përmirësoi rekordin kombëtar në të trija hedhjet e saj, ku zuri vendin e parë.
Fillimisht ajo fiksoi 66.29 metra, më pas 66.81 metra dhe në fund 67.96 metra, duke treguar një formë mjaft të mirë pavarësisht moshës, 44 vjeçe. Duket se Moreno e përligji më së miri besimin që i është dhënë.
Në garën e 1500 metra spikat edhe vendi i tretë i Redia Dauti, ndërkohë që po e treat u rendit edhe Relaksa Dauti në 800m. Ndërsa atletët e tjerë kuqezinj që morën pjesë në këtë event nuk u ngjitën doit në podium.
Në renditjen përfundimtare të këtij eventi, ku Shqipëria garonte në Divizionin e tretë, vendi ynë u rendit në vendin e 13-të mes 15 shteteve pjesëmarrëse. Por ajo që ka rëndësi janë rekordet e reja kombëtare.

The post Europiani ekipor i atletikës, dy rekorde të reja kombëtare në 200m dhe hedhje çekiçi appeared first on Telesport.
