
Në shkollën fillore “Zhivko Brajkovski” në Komunën e Butelit, ku shumica absolute e nxënësve janë shqiptarë, dëftesat janë shpërndarë vetëm në gjuhën maqedonase. Ky është një veprim i turpshëm dhe një shkelje e rëndë e të drejtave gjuhësore dhe arsimore të shqiptarëve. Kështu ka reaguar Dega e BDI-së në Butel, ndërsa reagimin e kanë ilustruar me dëftesat e shpërndara nga shkolla për nxënësit maqedons, vetëm në maqedonisht dhe në shkrimin cirilik, shkruan gazeta KOHA.
Reagimi i plotë i Degës së BDI-së në Butel:
Reagim ndaj një padrejtësie të papranueshme nga pushteti VMRO-VLEN
Për herë të parë, pas më shumë se 30 vite, po përjetojmë një hap pas në respektimin e të drejtave të nxënësve shqiptarë në Maqedoni. Në shkollën fillore “Zhivko Brajkovski” në Komunën e Butelit, ku shumica absolute e nxënësve janë shqiptarë, dëftesat janë shpërndarë vetëm në gjuhën maqedonase. Ky është një veprim i turpshëm dhe një shkelje e rëndë e të drejtave gjuhësore dhe arsimore të shqiptarëve.
Kjo padrejtësi nuk është as rastësi, as gabim teknik. Është pasqyrë e qartë e politikave të diskriminimit që po vijnë nga pushteti aktual, nga koalicioni VMRO-VLEN. Një pushtet që, në vend se të avancojë barazinë dhe të forcojë kohezionin ndëretnik, po rikthen praktikat e vjetra të shtypjes dhe mohimit të identitetit shqiptar.
Kjo nuk është vetëm një çështje dëftesash – është çështje dinjiteti, respekti dhe barazie. Nëse nuk e ngrenë zërin institucionet tona, atëherë është detyra jonë, si qytetarë, prindër dhe arsimtarë, të kërkojmë llogari dhe të mos lejojmë që fëmijët tanë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.
Turp për ata që e lejuan këtë të ndodhë!

