Ka përfunduar takimi i thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me liderët e partive politike në Kuvendin e Kosovës.
Ky takim zgjati mbi 2 orë, dhe qëllimi i tij ishte zhbllokimi i situatës politike dhe diskutimi për konstituimin e Kuvendit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që obligon përbërjen e re të Kuvendit të konstituohet brenda 30 ditëve.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur farsë publike takimin e liderëve partiakë, të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua. Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje”, tha Lumir Abdixhiku – kryetar i LDK-së.
Ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka vlerësuar se takimi ka rezultuar i pasuksesshëm.
“Takimi që u ftua nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm sepse situata s’është e njëjtë, por Kurti është i njëjtë”, u shpreh Memli Krasniqi – kryetar i PDK-së.
Nga ana tjetër kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj theksoi se për të dalë nga krizat politike duhen marrëveshje.
“Takimi më tepër ka shkuar rreth qasjeve dhe këndvështrimeve të secilit se si e shohin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e më pak është folur për atë që besoj unë është tema kryesore – kriza sikur këto zgjidhen me marrëveshje politike. Edhe ai aktgjykim e ka dhënë këtë udhëzim”, ka deklaruar Limaj pas takimit.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në deklaratën e saj para mediave tha se shkuan me shpresë në takimin e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, por sipas saj, nuk pati konsensus.
Ajo tha se ndonëse AAK-ja ka kërkuar konsensus, partia në pushtet nuk ka pranuar asnjë ofertë.
“Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese janë munduar të shtrembërojnë plot pika dhe të mos pranojnë asgjë. Kemi kërkuar që nesër të mos vazhdojmë me procedura të njëjta, prej nesër do të vazhdohet me praktika të njëjta ata po e shkelin Kushtetutën qëllimshëm. Kemi kërkuar që të mos vazhdohet me votimin e komisionit ”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Nga ana tjetër, bashëkryetari i Listës GUXO, Faton Peci, ka thënë se në takim me liderët e partive pati diskutime konstruktive nga disa akterë dhe u shpreh optimist se në javët në vazhdim do të ketë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.
“Duhet të vazhdojmë me tentativa të radhës në mënyrë që në javët e vazhdim të kemi Kuvend të konstituar. Ka pasur diskutime pozitive nga disa akterë. Nga natyra jam optimist se do të gjendet një zgjidhje”, ka thënë Peci.
