Orce Gjorgjievski hyn në garën për kryetar të Qytetit të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Vendimi është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i partisë, ku jozyrtarisht përmendeshin edhe emrat e Koce Trajanovskit dhe Zllatko Perinskit si kandidatët e mundshëm për këtë post. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, tha se Gjorgjievski u zgjodh pasi ai kryesonte bindshëm në sondazhe – pesë herë më shumë në krahasim me kandidatët e propozuar nga LSDM-ja – dhe se, si kryetar i komunës së Kisella Vodës, kishte dëshmuar se di dhe dëshiron të punojë për qytetarët.

“E di që është jashtëzakonisht i motivuar, fillimisht për të fituar, e pastaj për të fituar çdo ditë për qytetin e Shkupit dhe për shkupjanët. Ai është i hapur, i qasshëm dhe punëtor i përkushtuar që zgjidh probleme. Një energji e re, e domosdoshme për Shkupin, pas katër vitesh shkatërrim dhe ngecje. Dhe, sa i përket qytetit – besoni – i kemi mësuar të gjitha leksionet për të mos gabuar sërish në përzgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të Shkupit”, u shpreh Hristijan Mickoski.

Gjorgjievski premtoi se do ta ringjallë Shkupin dhe se do ta kthejë qytetin në një kantier ndërtimi. Prioritet do të jenë kaosi në komunikacion dhe pastërtia. “Qyteti është i ndotur dhe ky është problemi më i madh për shkupjanët,” tha ai. Ai shtoi se do ta kthejë Shkupin tek qytetarët dhe paralajmëroi fillimin e vizitave në terren dhe krijimin e programës për zgjedhjet lokale.

“Jam i gatshëm që pas këtyre zgjedhjeve ta ringjall Shkupin, domethënë ta bëjmë më në fund një qytet të denjë për të gjithë bashkëqytetarët tanë – një qytet pa ndarje. Do të mbetem i qasshëm dhe pranë çdo qytetari të Shkupit. Mos prisni nga unë politikan zyre, sepse edhe si kryetar i komunës në këto katër vite kam treguar që jam gjithçka, përveç një politikan i zyrave”, deklaroi Orce Gjorgjievski – kandidat për kryetar të Shkupit nga VMRO-DPMNE.

Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së vendosi që për kryetar të komunës së Gazi Babës të propozojë sërish kryetarin aktual Boban Stefkovski, ndërsa për Karposhin – Soti Llukrovski, i cili vjen nga sektori privat. Kandidatë mbeten aktualët edhe në komunat Lozovë, Pehçevë, Resnje dhe Zhrnovcë.

LSDM ende nuk ka publikuar emrin e kandidatit të saj për Shkupin. Jozyrtarisht, përmenden arkitekti Mishko Ralev dhe nënkryetarja e partisë, Kaja Shukova.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor.