Pas plot 15 vitesh nga hera e parë, Massimiliano Allegri është rikthyer në pankinën ku fitoi titullin e tij të parë kampion si trajner. Pavarësisht se kishte oferta të tjera në tryezë, tekniku toskan vendosi të rikthehet te Milani, klubi që i dha lavdinë e parë dhe me të cilin ndan një lidhje të veçantë emocionale. Në konferencën për shtyp të mbajtur në prag të ndeshjes miqësore ndaj Perth Glory, që do të mbyllë turneun veror të kuqezinjve, Allegri shpjegoi arsyet e këtij vendimi, që ai vetë e cilësoi si “zgjedhje zemre”.
“Milanit nuk mund t’i thuash jo”
“Pushimi më bëri mirë, por kisha shumë dëshirë të rikthehesha në pankinë. E zgjodha Milanin sepse e dua këtë skuadër dhe nuk mund të thoja jo. E bëj këtë profesion me pasion dhe përkushtim, besoj fort se të gjithë bashkë do të arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes”, – u shpreh Allegri nga hoteli ku po qëndron skuadra gjatë qëndrimit në Australi.
Një rikthim simbolik dhe me shumë domethënie për Allegrin, që kërkon të ndërtojë një cikël të ri fitues te Milani, duke filluar nga baza: përkushtimi, pasioni dhe identiteti kuqezi.
Objektivi? Kthimi në Champions League
Për Allegrin, rikthimi në “San Siro” ka një qëllim të qartë: ta rikthejë Milanin në majat e futbollit europian. “Jam rikthyer te Milani pas 15 vitesh dhe ndihem shumë i lumtur që jam sërish këtu. Do të jetë një sezon shumë i rëndësishëm për ne, synojmë të rikthehemi në Champions League. Milani është një nga klubet më të mëdha në botë, duhet të luajë patjetër në këtë kompeticion. Kur vesh këtë fanellë, ndjen peshën dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar një klub me histori. Këtu duhet të japësh gjithmonë maksimumin”.
“Pres përmirësime në formën fizike”
Në vijim, trajneri kuqezi foli për sfidën e fundit të turneut veror që do të luhet të enjten, më 31 korrik, ora 12:20 (me orën italiane) ndaj Perth Glory: “Kjo është ndeshja që do të mbyllë fazën përgatitore dhe turneun tonë. Do të luajmë në një stadium shumë të bukur dhe përballë një skuadre që ka bërë paraqitje të mira. Pres që të shoh progres në aspektin fizik dhe teknik nga ekipi”.
Milan-Como në Perth, në vitin 2026?
Në horizont shihet një tjetër rikthim i Milanit në Australi. Pas miratimit nga “Lega Serie A”, institucionet përkatëse po punojnë për organizimin e ndeshjes Milan-Como, e planifikuar për muajin shkurt 2026, pikërisht në Perth. Kjo për shkak të pamundësisë për të luajtur në “San Siro”, që do të jetë i zënë me ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”.
The post Allegri zbulon arsyet e rikthimit kuqezi: E dua Milanin, nuk mund t’i thuash jo këtij klubi appeared first on Telesport.
