Kryeministri i Zelandës së Re, Kristofer Lakson (Christopher Luxon) deklaroi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu (Benjamin Netanyahu), “e ka humbur busullën” dhe ka shkuar tepër larg, ndërsa mungesa e ndihmës humanitare, zhvendosja e dhunshme e popullsisë dhe aneksimi i Gazës janë “absolutisht të tmerrshme”.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi ushtria izraelite nisi një ofensivë ndaj qytetit të Gazës, të cilën Lakson e përshkroi si “tërësisht të papranueshme”.

Para se të fillonte seanca parlamentare, një grup i vogël demonstruesish u mblodhën para ndërtesës së Parlamentit në Uellington, duke brohoritur slogane dhe duke bërë zhurmë me enë kuzhine. Sipas mediave lokale, në thirrjet e tyre përfshihej edhe slogani: “Deputetë, tregoni kurrizin, njiheni Palestinën!”.

Këtë javë, Zelanda e Re njoftoi se po shqyrton mundësinë e njohjes formale të shtetit palestinez, ndërsa Australia deklaroi të hënën se do t’i bashkohet Kanadasë, Britanisë së Madhe dhe Francës në hapat e mëtejshëm që pritet të diskutohen në konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

Kriza humanitare në Rripin e Gazës ka arritur “përmasa të papranueshme”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Australia, Kanadaja, Britania e Madhe dhe një numër i madh shtetesh evropiane, të cilat kërkojnë që Izraeli të lejojë hyrjen e papenguar të ndihmës humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.

Izraeli, nga ana e tij, ka mohuar përgjegjësinë për krizën ushqimore, duke akuzuar Hamasin për vjedhjen e ndihmave – akuzë që ky grup e ka hedhur poshtë.