Kryeqyteti i Finlandës, Helsinki, është bërë një shembull i jashtëzakonshëm i një metropoli në Evropë ku askush nuk vdiq në një aksident trafiku në rrugë gjatë vitit të kaluar, raportoi portali gjerman Tagesschau.
Sipas të dhënave nga policia e Helsinkit, që nga korriku i vitit 2024 nuk ka pasur viktima në aksidente trafiku. Autoritetet e qytetit ia atribuojnë këtë sukses vendosjes së kufizimeve drastike të shpejtësisë dhe sigurisë më të madhe për këmbësorët në rrugë.
Vitin e kaluar, në Helsinki pati 277 aksidente trafiku që rezultuan në të lënduar, por kjo është shumë më pak se afërsisht 1,000 aksidente dhe një mesatare prej 30 vdekjesh të regjistruara në fund të viteve 1980. Për një qytet me 690,000 banorë, ky është një sukses i madh.
Në kryeqytetin finlandez, shpejtësia e lejuar për automjetet është e kufizuar në 30 kilometra në orë në rreth gjysmën e rrugëve, kryesisht pranë kopshteve dhe shkollave. Pesëdhjetë vjet më parë, shpejtësia e lejuar ishte 50 km/orë.
Siguria është rritur gjithashtu me kontrolle më të rrepta të shpejtësisë dhe monitorim përgjithësisht më të mirë të rrjedhës së trafikut, raportoi televizioni finlandez Ile.
Ata punuan gjithashtu për të edukuar fëmijët se si të sillen në trafik, pasi qëllimi kryesor ishte mbrojtja e fëmijëve, këmbësorëve dhe çiklistëve. Kjo, shkruan Tageschau, u arrit edhe duke rritur numrin e kalimeve për këmbësorë dhe shtigjeve të sigurta për çiklistët.
Përmirësimi dhe zgjerimi i transportit publik në qytet ka kontribuar gjithashtu shumë në uljen e numrit të aksidenteve rrugore, kështu që më pak qytetarë në Helsinki përdorin makina.
The post Askush nuk vdiq në një aksident trafiku në kryeqytetin e Finlandës appeared first on Alsat.
