Pas ndezjes së alarmit për situatën me zjarret në Berovë, është mbledhur Shtabi i Krizës në Maqedoninë e Veriut. Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali për TV21 tha se se nesër pritet angazhimi i mjeteve ajrore dhe i forcave speciale, me qëllim shuarjen e zjarrit të madh në Bërovë.
“Në orën 07:30 do të angazhohen një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme (Bell–412) dhe një helikopter i Armatës (Mi-8/17), të cilët do të mbështesin forcat tokësore në shuarjen e flakëve mbi vendin turistik Jabllanica. Një tjetër helikopter i MPB-së (Bell–212) do të jetë në gatishmëri vetëm për raste emergjente të evakuimit dhe shpëtimit. Ndërkohë, në orën 10:00, dy avionë “Air Tractor” të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim do të nisen drejt Bërvos për mbështetje të zjarrfikësve”, tha Ali.
Ai gjithashtu bëri të ditur se në mbledhjen e Shtabit të krizës është vendosur që nesër në terren të përfshihen edhe forcat e Armatës, njësitë speciale të policisë dhe automjetet e specializuara të DMSH, përfshirë tre mjete “Pinzgauer” që do të transportohen nga Kavadari për të ndihmuar operacionin.
“Ky është një plan i koordinuar që parashikon mobilizimin maksimal të forcave ajrore dhe tokësore për ta vendosur zjarrin nën kontroll. Situata është e rëndë, por besojmë se me angazhimin e përbashkët do ta menaxhojmë” deklaroi për TV21 drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.
