Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti njoftoi se deri në mars të vitit të ardhshëm, do të transformohet tërësisht rruga “Ferid Murad” dhe një pjesë e rrugës “Llazer Tërpovski”, përcjell TV21. Mexhti tha se kostoja e projektit është 1 milion euro, ndërsa përfshin edhe heqjen e semaforëve dhe zëvendësimin e tyre me rrethrrotullim modern.

“Bëhet fjalë për një prej projekteve më të mëdha në komunën e Çairit. Transformim i plotë i rrugës “Ferid Murati” dhe pjesërisht rrugës “Llazer Tërpovski”, dmth prej te Shqiponja deri në Xhon Kenedi, rikonstruktim total i rrugës. Në bashkëpunim me komunës së Çairit, Bankës Botërore dhe Ministrisë së Transportit, do të ndërtohet një rrugë moderne me gjatësi prej 1 kilometri, nga rruga Xhon Kenedi deri tek rrethrrotullimi Shqiponja. Kostoja e projektit është 1 milion euro dhe përfshin: Asfaltim të plotë, dy korsi të rregulluara për qarkullim, trotuare të standardizuara, korsi të reja për biçikleta në dy anët e rrugës, një nga korsitë e rrugës do të shfrytëzohet për parkim legal, duke e rritur sigurinë dherregullimin në zonë. Sistem të ri të ndriçimit publik. Gjithashtu parashihet heqja e semaforëve ekzistues dhe zëvendësimi i tyre me një rrethrrotullim modern, të ngjashëm me atë te Shqiponja. Sipas planit dinamik të paraqitur nga kompania, përfundimi i punimeve parashihet në mars 2026″, tha mes tjerash Mexhiti.