James Rubin, ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit tha se Hashim Thaçi nuk kishte autoritetin të merrte vendime për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe se komandantët i tregonin se çfarë të bënte. Ai tha se kjo gjendje ishte jo vetëm për marrëveshjen e Rambujesë, por edhe për marrëveshje të tjera sikurse ajo për demilitarizimin e UÇK-së.

“Ndonjëherë Hashim Thaçi m’i jepte pikëpamjet e fundit të tyre dhe unë i shikoja këto pikëpamje së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe thonim ne se kjo është në rregull, kjo nuk është në rregull. Kur gjërat nuk ishin siç planifikonim ne, duhej të kontaktonim përsëri me komandantët në mënyrë që komandantët të binin dakord për formulimin. Por, absolutisht e qartë për mua se ai nuk e kishte aftësinë dhe as kompetencën që të merrte vendime për UÇK-në. E kam fjalën për çështje praktike; dorëzimin e armëve, udhëzimin e forcave, veshjes së uniformave, që kishin të bënin me aspekte ushtarake. Këto ishin që vendoseshin nga persona të tjerë”, u shpreh ai.

Rubin deklaroi se Thaçi ishte fytyra e UÇK-së që luante rolin e ministrit të jashtëm dhe se komandantët i thonin atij se çfarë të bënte.

“Unë jam takuar vetë me komandantët dhe e kam parë vetë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin. Ata komandantë i kanë thënë atij se çfarë të bënte dhe jo Hashimi t’iu thoshte atyre se çfarë të bënte”, tha ai.

Rubin përshkroi gjithashtu tensionet brenda UÇK-së, ku disa komandantë kërkonin të ruanin nivelin maksimal të forcës ushtarake, ndërsa ndërkombëtarët synonin minimumin, për të lehtësuar demilitarizimin.

Ky dialog i vështirë, sipas Rubinit, tregonte qartë se roli i Thaçit ishte më shumë politik sesa ushtarak.

“Unë këtë e përktheva si rol të një ministri të Jashtëm, ose rol politik”, tha Rubin.