Kate Moss është bërë sërish kryefjalë e mediave, pasi është kapur nga paparacët në një gjendje shqetësuese gjatë Javës së Modës në Paris.
50-vjeçarja, e lodhur dhe me pamje të rraskapitur, u pa duke u mbështetur tek një mik për të dalë nga një klub nate, ndërsa shoqëria e saj e çoi me nxitim në hotel, për ta larguar nga blicat e kamerave.
Foto: Profimedia
Nuk është hera e parë që Moss përballet me akuza të tilla. Kujtojmë vitin 2005, kur tabloidet britanike publikuan foto të saj duke konsumuar kokainë – një skandal që tronditi industrinë e modës dhe i kushtoi kontratat me gjigantë si ‘Chanel’, ‘Burberry’ dhe ‘H&M’. Megjithëse akuzat u rrëzuan për mungesë provash, imazhi i saj u njollos rëndë.
Në intervista të mëvonshme, Moss pranoi se kishte luftuar me varësinë për vite të tëra, duke kaluar periudha të vështira, por edhe momente të kthjellta – madje një periudhë prej 18 muajsh në abstenim total. Megjithatë, çdo shfaqje e saj e dyshimtë mjafton për të ndezur alarmin se ajo mund të rikthehet tek zakonet e vjetra.
Foto: Profimedia
Pamjet e fundit nga Parisi duken sikur kanë rikthyer pikërisht këtë frikë. Një ikonë e modës e kthyer në një figurë kontradiktore – Kate Moss mbetet në qendër të vëmendjes, jo vetëm për stilin e saj, por edhe për hijet e së kaluarës që duket se e ndjekin kudo.