Gazetar: Mihajllo Donev
Ende nuk ka përgjigje nga gjykata e Manastirit nëse do të ndryshojë vendimi për Borçe Markovskin, pronar i kompanisë “Markovski Kompani”, dhe një personi tjetër të cilëve iu caktua arresti shtëpiak, pavarësisht kërkesës së prokurorisë për paraburgim efektiv. Ata dyshohen në rastin e fundit të prokurorisë për keqpërdorime në TEC Manastir në vlerë prej rreth 1,7 milionë euro. Prokuroria konfirmoi se ka ankimuar vendimin e gjykatës.
Një ditë më parë, prokuroria hapi hetim kundër tetë personave, përfshirë ish-drejtorin e TEC Manastirit, Pece Matevski, si dhe kundër një personi juridik “Markovski Kompani” në pronësi pikërisht të të pandehurit Borçe Markovski. Ata dyshohen se si grup, kanë kryer krime që lidhen me prokurimin publik për zhvendosjen e stacioneve uzinë nga TEC “Oslomej” në TEC “Manastir. Pajisjet që kompania e Markovskit duhej ti zhvendoste nuk ishin aspak të parashikuara në planin e TEC Manastirit, ndërsa të pandehurit e kanë favorizuar kompaninë e dyshuar në thirrjen publike, edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet.
“Gjatë përcaktimit të kushteve për prokurimin publik, ata shkelën parimet e proporcionalitetit dhe konkurrencës dhe lejuan një kompani, d.m.th. subjektin e dyshuar juridik, të paraqitet si ofertues i vetëm dhe të lidhë kontratë të prokurimit publik. Pastaj, megjithëse e dinin se kompania nuk i kishte përmbushur detyrimet e saj kontraktuale, ata nënshkruan procesverbalin që konfirmonte se çmontimi, transporti dhe montimin e stacioneve uzinë nga TEC Oslomej në TEC Manastir kishte përfunduar”, tha Prokuroria Themelore Publike.
Për më tepër, drejtori i “Markovski Kompani” dhe një person i punësuar aty, gjithashtu i dyshuar në procedurë, edhe pse i vetëdijshëm se nuk kanë kryer detyrimet e tyre ndaj TEC Manastirit, megjithatë kanë bërë pagesën e paligjshme prej 106.200.000 denarësh. Nga të dyshuarit – ish drejtori i TEC Manastirit, Pece Matevski tashmë është në paraburgim si i dyshuar në rastin “Aditiv”, po ashtu edhe një zyrtar tjetër nga TEC Manastiri gjithashtu është i përfshirë në një procedurë tjetër dhe i nënshtrohet masave të kujdesit. Prokuroria tha se edhe për katër persona të tjerë kishte kërkuar dhe miratuar masa kujdesi, ndërsa Borçe Markovski dhe një person tjetër mbetën në arrest shtëpiak të paktën për momentin, megjithëse prokuroria po kërkon masa efektive./Alsat.mk
The post Prokuroria Publike Themelore me ankesë në gjykatën e Manastirit: Dy të dyshuarve për krim në REK Manastir duhet tu caktohet arrest efektiv e jo shtëpiak appeared first on Alsat.
