Gazetar: Avni Tahiri
Sërish zjarr në deponinë e Haraçinës. Zjarrfikësit janë në terren ndërsa në shuarjen e zjarrit është angazhuar edhe komuna me ekskavator. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.
”Për më pak se një muaj, është e dyta herë që po digjet deponia në Haraçinë ndërsa tymi i zi që del nga djegia e kësaj deponie ka shkaktuar shqetësim tek banorët, nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se kanë dërguar ekipe për intervenim”, raporton Avni Tahiri, gazetar.
Sipas komandantit të zjarrfikësve të Shkupit, Zvonko Tomevski, menjëherë pas denoncimit dhe ankesave të banorëve të Haraçinës se po digjet deponia kanë dërguar ekipet e zjarrfikësve për të shuar zjarrin ndërsa është intervenuar edhe nga ana e komunës me ekskavator.
“Menjëherë pas pranimit të paraqitjes se ka zjarr në deponinë mbi fshatin Haraçinë, është dërguar një ekip me tre zjarrfikës ku është gjetur deponia duke u djegur mbeturina të përziera. Është intervenuar menjëherë dhe po ashtu nga komuna e Haraçinës, është dërguar edhe një ekskavator për mbulimin e materialit ndërsa zjarri ende po shuhet dhe besojmë se në çdo moment do të kthehen ekipet pas intervenimit”, deklaroi Zvonko Tomevski – Komandant i zjarrfikësve të Shkupit.
Kjo nuk është hera e parë që po digjet deponia mbi fshatin Haraçinë, zjarri i fundit në këtë deponi ishte rreth një muaj më parë kur zjarrfikësit arritën ta shuajnë plotësisht përmes ndërhyrjes speciale me shkumë. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende. /Alsat.mk
The post Sërish zjarr në deponinë e Haraçinës, banorët shprehen të revoltuar appeared first on Alsat.
