Trajneri i Kombëtares së Serbisë, Dragan Stojković – i njohur gjerësisht si Piksi – ka dhënë dorëheqje nga posti i tij menjëherë pas humbjes 1-0 ndaj Shqipërisë, në ndeshjen e zhvilluar në Leskovc të Serbisë.

Burime pranë Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) konfirmojnë se Stojković ka dorëzuar dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, e cila është pritur me zhgënjim të madh nga tifozët vendas.

Kjo humbje ka shkaktuar tronditje të madhe në kampin serb, pasi pritej që Serbia të siguronte një rezultat pozitiv për të ruajtur pozitat në grup.

Piksi, i cili e mori drejtimin e ekipit në vitin 2021, kishte udhëhequr Serbinë në Kampionatin Botëror “Katar 2022” dhe në disa ndeshje të rëndësishme kualifikuese. Megjithatë, rezultatet e fundit kanë bërë që presioni ndaj tij të rritet ndjeshëm.

Federata e Futbollit të Serbisë pritet të mbajë një mbledhje urgjente gjatë ditës së nesërme për të vendosur mbi pasardhësin e tij në pankinë.