Dritan Shakohoxha foli nga Beogradi për Report TV pas fitores 0-1 që lombëtarja kuqezi siguroi kundër Serbisë. Sipas komentatorit, trajneri Sylvinho është në kohën dhe vendin e duhur, pasi sipas tij ai s’di ta lexojë mirë futbollin, por ka përvojën. Për komentatorin sportiv, Kombëtarja e ka siguruar zonën play-off paçka dy ndeshjeve kundër Andorrës më 13 nëntor në udhëtim dhe Anglisë tre ditë më vonë në Tiranë.
A është kjo fitorja më e jashtëzakonshme e Shqipërisë?
Besoj që po, kjo është fitorja më e bukur në historinë e futbollit shqiptar, për shkak të 100 e ca motiveve. Edhe fitorja kundër Greqisë në Tiranë (2004) kur ata u shpallën kampionë Evrope, por edhe ndaj Rumanisë në Euro 16. Kjo e djeshmja ishte fitorja më e madhe që bashkon gjithë shqiptarët. Ky sukses me të vërtetë që do mbahet mend gjatë.
Pritshmëri për fitoren?
Kam thënë që kemi ekip më të mirë dhe do fitojmë, duhet të fitonim. Kur e pashë që ndeshja do luhej në Leskovac, u binda më shumë që kjo ndeshje do fitohej nga ne, sepse atë që bëmë ne në Tiranë, që ‘fikëm tifozët’, këtë bënë edhe këta këtu, por kjo për fatin tonë të madh. Luajtëm në kushtet më optimale të mundshme që mund të luanim në Serbi dhe ishte një mundësi e jashtëzakonshme për ne. Manajt i kam thënë që do shënonte në Serbi dhe mos e mbante mendjen te penalltia e humbur në Tiranë. Kisha një ndjesi të mirë për këtë ndeshje. Në këtë çaste ne kemi ekip më të mirë se Serbia.
A është ky brezi më i mirë i Kombëtares?
Futbolli matet me numra, rezultate dhe suksese. Duke parë këto besoj se ky brez, duke harruar Ligën e Kombeve, është një nga skuadrat më të mira në historinë e kombëtares shqiptare. Disa nga futbollistët që kemi sot, mos t’i marrim me emra, janë padyshim më të mirët e historisë në rolin e tyre.
Ndikimi i trajnerit në këtë sukses…
Influenca e trajnerit në këtë skuadër është e minimizuar, nuk shoh një trajner me aftësi të mëdha. Shoh një ekip shumë të bashkuar me njëri-tjetrin që jep shumë dhe luan në mënyrë të mrekullueshme. Influencën e trajnerit nuk e shoh, nuk e ndjej, nuk duket. Sylvinho ka ulje-ngritje të ndryshme, gjatë ndeshjes reagon shumë pak. Sylvinho është në vendin e duhur, në momentin e duhur. Influencë në ekip kishte De Biasi. Sylvinho ka përvojë, e sjell këtu. Por nuk e shoh që ta lexojë aq mirë futbollin. E shoh një trajner që ka fat që është në këtë moment të Shqipërisë.
Formacioni sulmues…
Uzuni është një ‘top-player’ që ka Shqipëria. Mos harrojmë që ky trajner e la jashtë Evropianit, kur ishte sulmuesi më i mirë në La Liga 2 në Spanjë. Di të them që trajneri besoi që futi në fushë emrat më të mirë. Në këtë moment po konsolidojmë formacionin. Shehun nuk e njihnim, ai është ndër më të talentuarit që ka veshur këtë fanellë.
The post Shakohoxha: “Sylvinho s’di të lexojë futbollin, kjo është Shqipëria më e mirë në histori” appeared first on Telesport.