Gazetar: Zekirija Haxhiu
Deri te Komisioni Antikorrupsion kanë arritur disa ankesa për shkelje të kodit zgjedhor gjatë fushatës zgjedhore. Sipas një denoncimi, drejtori i një shkolle fillore përmes një aplikacioni celular ka kryer presion mbi të punësuarit që të njëjtit të marrin pjesë në tubim partiak, duke i kërcënuar madje se nëse nuk janë prezent, nuk do u vazhdohen kontratat e punës. Antikorrupsioni për këtë e ka njoftuar edhe Komisionin përkatës për ndjekje të parregullsive gjatë zgjedhjeve në Prokurorinë Publike.
Një ankesë tjetër kishte të bëjë me miratimin e vendimit për nevojën e punësimit të 12 asistentëve të rinj në fakultetin juridik të “Shën Kirili dhe Metodi”. Pas kontaktimit nga KSHPK, nga atje kanë njoftuar se për këtë pikë do të diskutohet në fillim të muajit dhjetor gjegjësisht pas zgjedhjeve. Ankesë kishte edhe për ndarjen e uniformave dhe pajisjeve shkollore në një shkollë të mesme nga ana e ministres së Arsimit dhe zv.ministrit për politikë sociale, por meqenëse nuk janë përdorur simbole partiake, nga Antikorrupsioni konstatojnë se nuk ka shkelje të kodit zgjedhor.
Ankesë kishte edhe për një drejtor të një institucioni publik për të cilin thuhet se e keqpërdor veturën zyrtare dhe të njëjtës nuk i ka vendosur targa të kuqe të regjistrimit. Nga Antikorrupsioni komentuan se në ankesë nuk është theksuar saktë se kur dhe ku është keqpërdorur vetura, ndaj vendosën të mos ngritin lëndë diskutimi. Sa i përket targave, thanë se është nën kompetencë të MPB-së dhe Sekretariatit për Punë të Përgjithshme të Qeverisë.
Antikorrupsioni refuzoi të hapë lëndë edhe për disa pika të tjera për të cilat konsideronin se nuk ka shkelje të kodit zgjedhor. Përpos për çështje që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, Antikorrupsioni debatoi edhe për ndërtime pa leje, për punën e një prokurori publik nga Manastiri etj. /Alsat.mk
The post Disa ankesa për shkelje të procesit zgjedhor kanë mbërritur në adresë të Antikorrupsionit appeared first on Alsat.