Deputetja e Nismës Socialdemokrate në Kosovë, Xhevahire Izmaku ka konfirmuar se ky subjekt politik është i gatshëm që të ulët të bisedoj me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re, nëse një mundësi e tillë do t’i ofrohet. Sipas saj, pjesëmarrja në bisedime është mundësi e mirë për të parë se cili do të ishte kontributi që mund ta jap Nisma. Por, deputetja Izmaku është e bindur se kontributi i Nismës do të ishte që Limaj të jetë kryetar i Kuvendit. Dje kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se gjatë kësaj jave do të zhvillojë takime me subjektet politike për formimin e Qeverisë.
‘’Ne e kemi marrë informacionin përmes mediave deklaratën e kryeministrit në detyrë. Nisma e konsideron si të mirëqenë faktin se ka një përgjegjshmëri politike dhe Nisma në çdo rrethanë ka me qenë në tavolinë për të vazhduar bisedimet për një zgjidhje politike. Presim që të jetë një rrethanë e re politike dhe të jetë një vendimmarrje e re politike. Gjithmonë jemi të gatshëm për bisedime dhe nuk ka të bëjë me emër të përveçshëm të zotit Kurtit, mirëpo në raport me të mirën e vendit dhe në raport në zgjidhjen e problemeve, Nisma do të ishte me secilin kryeministër të vendit në tavolinë. Tavolina është ajo që duhet të zgjidhen problemet politike dhe në këto rrethana ne besojmë plotësisht se duhet të ketë një zgjidhje. Duhet të shfrytëzohet një mundësi që të mos lejohet të shpenzohen miliona euro që vendi të shkoj edhe një herë në një proces zgjedhor, sepse sapo e kaluam një proces zgjedhor po presim që të konstituohet niveli lokal me një lidership të ri. Pa marrë parasysh a do të jetë Nisma apo nuk do të jetë, kushdo si subjekt politik do të ndihmojmë në krijimin e institucioneve. Kur Nismës i ofrohet sigurisht se ne do të ulemi në tavolinë me i shiku mundësitë se çka mundemi me kontribu. Ne mendojmë se kontributi jonë kish qenë më i miri në pozicionin e Kuvendit dhe besojmë se kjo është dashur që të ndodh sepse vendi dhe institucioni ligjvënës ka nevojë me pas një pesronalitet me kredibilitet të lartë siç është zoti Limaj. Por, edhe në rrethana të tjera prapë do të ulemi që ti dëgjojmë edhe ofertat e reja edhe mundësitë e reja të vendit. Edhe nëse zgjedh një partner tjetër Nisma do ta ndihmoj për formimin e institucioneve të reja të vendit”, tha Izmaku për RTV21.