Parlamenti portugez miratoi ligjin që ndalon mbajtjen e mbulesave për fytyrën “për arsye gjinore ose fetare” në hapësira publike, një masë që shumë e interpretojnë si të drejtuar ndaj nikabit të disa grave myslimane.

Ligjin e propozoi partia ekstremiste e djathtë Chega dhe pritet të prekë kryesisht mbajtjen e burkave në shumicën e vendeve publike.

Megjithatë, mbulesat për fytyrën do të lejohen në avionë, misione diplomatike dhe vendet e adhurimit fetar.

Ligji parashikon gjoba nga 200 deri në 4.000 euro.

Ai duhet të dekretohet nga presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, i cili mund të vendosë të përdorë të drejtën e vetos ose ta dërgojë ligjin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Nëse miratohet, Portugalia do t’i bashkohet vendeve të tjera evropiane si Austria, Franca, Belgjika dhe Holanda, të cilat tashmë kanë vendosur ndalime të pjesshme ose totale për mbulesat e fytyrës dhe kokës.