
Në zgjedhjet e teta lokale që do të mbahen të dielën më 19 tetor 2025, të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 qytetarë, prej të cilëve 1.717.803 ndodhen në vend, ndërsa 112 mijë janë të regjistruar në listën e veçantë zgjedhore si persona që jetojnë jashtë shtetit. Po ashtu, në procesin e votimit do të marrin pjesë 2.162 persona të burgosur ose në paraburgim, si dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.
Në diasporë nuk do të ketë votim, por qytetarët që jetojnë ose punojnë përkohësisht jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës nëse kthehen në Maqedoni gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në Qytetin e Shkupit janë regjistruar gjithsej 474.304 votues. Nga komunat, më shumë qytetarë me të drejtë vote ka në:
Kumanovë – 94.041, Tetovë – 87.878, Gostivar – 82.893, Manastir – 77.253, Aerodrom (Shkup) – 68.772, Strugë –62.711, Prilep – 62.053
Ndërsa më pak votues janë regjistruar në:
Lozovë – 1.905, Vevçan – 2.092, Novac – 2.429, Konçe – 2.716, Rankovcë – 2.921
Sipas Kodit Zgjedhor, votimi duhet të zhvillohet në 3.480 qendra votimi, por për shkak se në gjashtë prej tyre nuk ka banorë, numri i përgjithshëm i qendrave aktive do të jetë 3.474. Nga të dhënat e KSHZ-së, 125 qendra votimi kanë më pak se 10 votues, të cilët do të votojnë në qendrën më të afërt. Përveç tyre, 8 qendra kanë nga 10 votues, 6 qendra nga 11, 18 qendra nga 12 dhe 3 qendra me nga 13 votues.
Qendra më e madhe votimi në vend ndodhet në Butel, në njësinë 2915, me gjithsej 1.432 votues. Në 70 qendra votimi numri i votuesve tejkalon 1.000, dhe aty ku ka qenë e mundur, për funksionalitet më të mirë, votuesit janë ndarë në qendra fqinje.
Votuesi më i moshuar i regjistruar në listën zgjedhore është lindur më 15 maj 1918, ndërsa më i riu do të mbushë 18 vjeç pikërisht në ditën e zgjedhjeve, më 19 tetor. Numri i përgjithshëm i votuesve të rinj 18-vjeçarë në listën zgjedhore është 25.603.
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të tetat që nga pavarësia e vendit, dhe të katërtat në të cilat zgjidhen njëkohësisht kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Në këto zgjedhje do të votohet për 309 kandidatë për kryetar komune dhe për 576 lista këshilltarësh, me gjithsej 10.490 kandidatë.
Në garë marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatura të pavarura.
Qyteti i Shkupit ka numrin më të madh të kandidatëve për kryetar — 16.