Internisti Osman Sejdini ka 41 vite që është i përkushtuar ndaj shëndetit të qytetarëve të Kërçovës. Karrierën e ka filluar në vitin 1984 në dispanserin e fëmijëve, për të vazhduar më pas në ndihmën e shpejtë për 9 vite rresht, dhe pas specializimit tashmë prej vitesh punon në repartin e Internos në Kërçovë. Ai kujton me shumë kujdes fillimet në punë dhe kushtet në të cilat kanë punuar.

 “Më vështirë ka qenë kur kam punuar në ndihmën e shpejtë 9 vite. Kemi punuar vetë, nuk kemi pasur mjek specialist, nuk kemi pasur me kë të konsultohemi. Kemi qenë në situata shumë delikate. Pastaj kemi pasur probleme sepse nuk kishim mundësi që pacientët me sëmundje të rënda, që nuk mundeshim t’i trajtonim aty, t’i dërgonim në qendrat më të sofistikuara, specialiste – shumë rrallë, sepse nuk kishim as vetura të ndihmës së shpejtë”, deklaroi Osman Sejdini – Specialist Internist.

Internisti Osman Sejdini, edhe pse ka dalë në pension që në vitin 2022, ende vazhdon të kontribuojë në spitalin e Kërçovës, në repartin e Internos.

 “Pas dy muajsh drejtori më thirri në bisedë dhe më tha: ‘Kemi nevojë për ty që të kthehesh në punë’. U mendova pa hamendje dhe u ktheva”, theksoi Osman Sejdini – Specialist Internist.

Që atëherë, edhe pse në moshë 70-vjeçare, vazhdon të punojë, bën ekografi dhe gastroskopi. Tashmë ka filluar të mbajë edhe kujdestari, për shkak të mungesës së kuadrit në këtë repart.

 “Mjekë nuk ka, disa kanë shkuar në specializim dhe i mbeti reparti me pak mjekë, dhe unë i zëvendësoj”, u shpreh Osman Sejdini – Specialist Internist.

Ai thotë se do të vazhdojë të punojë derisa të ketë nevojë spitali dhe ta lejojë shëndeti, ndërsa për mjekët e rinj ka një mesazh që të specializohen dhe të kthehen të punojnë në Kërçovë, sepse qytetarët kanë nevojë për ta.