Janusz Bugajski, analist i njohur amerikan me origjinë polake, njohës i çështjeve euroatlantike dhe të Ballkanit, si dhe mbrojtës i demokracisë dhe lirisë së shtypit, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.

Gjatë karrierës së tij, Bugajski ka bashkëpunuar me institucione prestigjioze ndërkombëtare dhe ka qenë analist i rregullt në Zërin e Amerikës (VOA).

Lajmin për vdekjen e tij e bëri publik ish-drejtori i VOA-s për Evropë dhe Euroazi, Elez Biberaj

, i cili shkroi:

“U trondita dhe u pikëllova thellë kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë, Janusz Bugajski. Janusz ishte një analist brilant i çështjeve euroaziatike, një autor prolifik, botimet e të cilit formësuan thellësisht kuptimin tonë për rajonin, dhe një avokat i qëndrueshëm për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe lirinë e shtypit. Ai ishte një mysafir i shpeshtë dhe i vlerësuar në transmetimet e Zërit të Amerikës, dhe njohuritë e tij ishin gjithmonë të qarta, parimore dhe thellësisht të informuara.”

Bugajski ka qenë autor i një sërë librash dhe analizash mbi politikën ndërkombëtare, me fokus të veçantë në zhvillimet në Ballkan, NATO dhe marrëdhëniet transatlantike.

Ai lindi më 23 shtator 1954 në Nantwich, Cheshire, Angli.