Konsumimi i mishit të dobët pas stërvitjes mund të ndihmojë shumë më tepër në ndërtimin e masës muskulore sesa copat më të yndyrshme të mishit, sugjeron një studim i ri shkencor.
Studiues nga Universiteti i Illinois Urbana-Champaign në SHBA, të cilët botuan rezultatet në revistën American Journal of Clinical Nutrition, analizuan 16 të rritur fizikisht aktivë që kryen ushtrime rezistence, si shtypje këmbësh dhe zgjatje këmbësh.
Pas stërvitjes, secili prej tyre konsumoi një nga tre llojet e vakteve: një hamburger me mish derri të dobët, një hamburger me mish derri me përmbajtje të lartë yndyre ose një pije karbohidratesh (kontroll). Më pas, u morën mostra gjaku dhe muskujsh para ushqimit dhe pesë orë pas tij.
Rezultatet ishin të qarta:
Hamburgeri me mish të dobët solli rritjen më të madhe të aminoacideve në gjak – blloqet ndërtuese që trupi përdor për të riparuar dhe rritur indet muskulore.
Mishi me yndyrë të lartë, përkundrazi, uli ndjeshëm këtë efekt, duke treguar se burimet e proteinës së pastër janë më efikase për rikuperim dhe forcë pas ushtrimeve.
“Ajo që po zbulojmë është se jo të gjitha ushqimet shtazore me cilësi të lartë janë të barabarta. Për ndonjë arsye, mishi me yndyrë të lartë vërtet e pengoi përgjigjen e ndërtimit të muskujve,” tha udhëheqësi i studimit, profesor Nicholas Burd, duke e cilësuar gjetjen si “befasuese”.
Ai shtoi se personat që konsumuan hamburger me yndyrë të lartë patën vetëm pak më shumë përfitime sesa ata që pinë thjesht një pije sportive me karbohidrate.
Si u krye studimi?
Pjesëmarrësit morën infuzione me aminoacide për të ndihmuar shkencëtarët të monitoronin se sa shpejt këto integroheshin në indet muskulore. Analizat treguan se mishi i dobët i derrit rriti me 47% shkallën e sintezës së proteinave në muskuj (0.106%), krahasuar me mishin e yndyrshëm (0.072%).
Profesor Burd theksoi se këto rezultate mund të lidhen edhe me përpunimin e mishit, pasi për eksperimentin u krijuan hamburgerë me përmbajtje të saktë yndyre, të gjithë nga i njëjti kafshë, duke u analizuar dhe ngrirë më pas për të ruajtur përbërjen ushqyese. “Na mori një vit vetëm për të arritur raportin e saktë të yndyrës,” tha ai.
Ushqimi ndihmon, por palestra mbetet thelbësore
Burd shtoi se, pavarësisht dietës, faktori më i rëndësishëm për rritjen e muskujve mbetet stërvitja me pesha. “Dietat mund ta mbështesin procesin, por pa ushtrime nuk do të shihni ndryshime të mëdha,” theksoi ai.
Studimi u mbështet financiarisht nga National Pork Board’s Pork Checkoff Program, por financuesi nuk kishte rol në dizajnin, mbledhjen e të dhënave apo analizën shkencore.
The post Shkencëtarët zbulojnë llojin e mishit që nxit rritjen e muskujve – dhe atë që e pengon atë appeared first on Alsat.