Fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Hazrat Shahjalal” në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, janë rikthyer mbrëmjen e sotme pas një zjarri të madh që përfshiu kompleksin e karrierës dhe shkaktoi ndërprerje serioze në trafikun ajror, raporton DPA.
Sipas një zyrtari të aeroportit, avioni i parë u ngrit në 21:06 me orën lokale, pak minuta pas hapjes së pistës në 21:00.
Zjarri, i cili shpërtheu pasdite, detyroi autoritetet të anulonin të gjitha fluturimet. Flakët e mëdha dhe tymi i zi ishin të dukshëm nga pika të ndryshme të qytetit. Zjarri përfshiu pjesën kryesore të kompleksit të karrierës, i vendosur midis terminalit kryesor dhe hapësirave të parkimit të avionëve.
Talha Bin Zasim, zëdhënës i Shërbimit Civil të Mbrojtjes dhe Zjarrfikësve, deklaroi se 37 automjete zjarrfikëse u dërguan për të shuar flakët, të mbështetura nga forcat ajrore dhe marina e Bangladeshit.
Si pasojë e zjarrit, trafiku ajror u ndërpre përkohësisht: 11 avionë që po arrinin u devijuan në aeroporte të tjera, ndërsa të gjitha fluturimet nga Daka u anuluan, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar. Autoritetet ndërhynë shpejt për të larguar avionët nga zona e rrezikuar.
Së paku 27 persona të përfshirë në shuarjen e zjarrit u plagosën. Policia konfirmoi se 10 prej tyre u dërguan në spitale civile, ndërsa 17 të tjerë në spitalin ushtarak.
Qeveria e Bangladeshit ka njoftuar fillimin e një hetimi për shkakun e zjarrit dhe një vlerësim të dëmeve të shkaktuara.