Shteti amerikan i Alabamës ka ekzekutuar me gaz azoti 54-vjeçarin Anthony Boyd, i dënuar për një vrasje të ndodhur në vitin 1993. Kjo metodë e ekzekutimit është cilësuar nga kritikët si “mizore dhe çnjerëzore”.
Boyd ishte dënuar me vdekje pasi kishte vrarë një burrë duke e djegur për shkak të një borxhi prej 200 dollarësh për drogë. Ai e ka mohuar gjithmonë përfshirjen në krim dhe edhe në fjalët e tij të fundit deklaroi:
“Unë nuk kam vrarë askënd. Nuk kam marrë pjesë në vrasje. Nuk do të ketë drejtësi derisa të ndryshojmë këtë sistem.”
Ekzekutimi u krye të enjten mbrëma dhe zgjati rreth 40 minuta, sipas gazetës Montgomery Advertiser. Gazetarja që ishte e pranishme raportoi se Boyd vazhdoi të merrte frymë për më shumë se 20 minuta pasi u aktivizua gazi, përpara se të shpallej i vdekur në orën 18:33 me orën lokale.
Kjo ishte herën e shtatë që Alabama përdor gazin e azotit për të ekzekutuar të dënuar me vdekje që nga janari i vitit 2024. Metoda është zgjedhur si alternativë ndaj injeksionit vdekjeprurës, për shkak të mungesës së ilaçeve të përdorura më parë në ekzekutime, raporton Aljazeera.
Boyd kishte kërkuar të ekzekutohej me skuadër pushkatimi, duke pretenduar se gazi i azotit shkakton vuajtje të panevojshme, por kërkesa e tij u refuzua nga gjykatat amerikane, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
The post Amerikani i dënuar për vrasje në vitin 1993 ekzekutohet me gaz azoti appeared first on Alsat.

