Përbërësit aktivë që e bëjnë çajin jeshil të dobishëm për shëndetin mund të pengojnë përthithjen e disa barnave dhe suplementeve dietike, paralajmërojnë ekspertët. Farmacistja Rebecca Emch thekson se megjithëse çaji jeshil është i pasur me antioksidantë si epigallocatechin gallate (EGCG), i cili ndihmon në funksionimin e zemrës dhe rregullimin e peshës, ai mund të ndikojë negativisht në mënyrën se si trupi përthith disa substanca.

Sipas saj, çaji jeshil ndërhyn në përthithjen e hekurit, veçanërisht atij me origjinë bimore, për shkak të pranisë së taninave, polifenoleve dhe kalciumit. Personat që marrin suplemente hekuri duhet të shmangin pirjen e çajit të paktën një ose dy orë para ose pas marrjes së tyre.

Gjithashtu, kombinimi i çajit jeshil me shtesa që përmbajnë stimulues mund të shkaktojë efekte anësore si rrahje të shpejta zemre, rritje të tensionit dhe ndjesi ankthi, për shkak të kafeinës dhe përbërësve si teobromina e teofilina.

Ekspertët paralajmërojnë edhe për ndërveprimet me vitaminat e grupit B, sidomos acidin folik dhe vitaminën B12, ku çaji jeshil mund të ulë përthithjen e tyre. Prandaj, rekomandohet që këto vitamina të merren në kohë të ndryshme nga momenti i konsumimit të çajit.

Në sasi të mëdha, çaji jeshil mund të ndikojë edhe tek shtesat që hollojnë gjakun, si vaji i peshkut, hudhra, xhinko apo xhensen, për shkak të përmbajtjes së vogël të vitaminës K, e cila mund të zvogëlojë efektivitetin e tyre.

Nutricionistja Ginger Haltin thekson se është e rëndësishme që konsumatorët të mos supozojnë se çdo produkt “natyral” është i padëmshëm. “Duhet të bashkëpunoni me farmacistin dhe nutricionistin tuaj për të kuptuar se çfarë është e sigurt për nevojat tuaja,” thekson ajo.

The post Farmacistët paralajmërojnë, mos i merrni këto suplemente me çaj jeshil appeared first on Alsat.