Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron Izraelin se mund të humbë mbështetjen historike të Shteteve të Bashkuara, nëse anekson Bregun Perëndimor, siç u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për revistën TIME.

“Kjo nuk do të ndodhë, sepse unë i dhashë fjalën vendeve arabe. Izraeli do të humbasë gjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nëse ajo gjë ndodh.”

Që Izraeli nuk do ta ndërmarrë këtë hap, Trump e konfirmoi para gazetarëve edhe në mbledhjen e kabinetit të tij në Uashington.

Interesi ishte i lartë, pasi parlamenti izraelit miratoi të mërkurën kalimin për diskutim në komisionet parlamentare të një projektligji për shtrirjen e juridiksionit të ligjeve të shtetit të Izraelit edhe në territorin palestinez të Bregut Perëndimor.

Projektligji është nismë e disa deputetëve ultranacionalistë që nuk janë pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanjahu, por u mbështet edhe nga ministrat nacionalistë të kabinetit si Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotriç.