Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet saktësisht pas një jave, më 2 nëntor. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), rrethi i dytë do të zhvillohet në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Kundërkandidatët për postet e kryetarëve të komunave pritet ta intensifikojnë këtë javë fushatën e tyre me tubime dhe takime me qytetarët.
Këtë javë pritet të zhvillohet debat mes dy rivalëve për Qytetin e Shkupit – Orce Gjorgjievski nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Amar Mecinoviq nga E Majta (Levica). Në fokus të fushatës së tyre gjatë javës së kaluar ka qenë problemi i mbeturinave dhe mënyra e grumbullimit të tyre në kryeqytet.
Kandidati i VMRO-DPMNE-së për Shkup, Orce Gjorgjievski, deklaroi se me një organizim të mirë problemet e qytetit mund të zgjidhen shpejt dhe se në 72 orët e para pas zgjedhjeve do të nisë një aksion i madh pastrimi, ku do të përfshihen të gjitha komunat, ndërmarrjet publike dhe kompanitë shoqërisht të përgjegjshme.
Nga ana tjetër, Mecinoviq prezantoi një plan për riformimin dhe modernizimin e Ndërmarrjes Publike Komunale, duke propozuar zgjidhje inovative për trajtimin e mbeturinave, që sipas tij tashmë janë të suksesshme në disa qytete evropiane.
Afatet zgjedhore janë gjithashtu në përfundim. Mbrëmë skadoi afati për paraqitjen e personave të sëmurë dhe të pafuqishëm për votim në shtëpi, ndërsa pas dy ditësh përfundon edhe afati për personat në arrest shtëpiak.
Nga KSHZ informojnë se është në vazhdim procesi i regjistrimit të vëzhguesve për rrethin e dytë të zgjedhjeve.
KSHZ njoftoi gjithashtu se të enjten, në një seancë publike, ka refuzuar të gjitha 57 ankesat e dorëzuara për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale.
Prej tyre, 37 ankesa kishin të bëjnë me procedurat e përcaktimit dhe përmbledhjes së rezultateve të votimit, ndërsa 20 të tjera me procesin e vetë votimit.
Në rrethin e parë më 19 tetor, zgjedhjet lokale përfunduan në 43 komuna, ndërsa në Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, ku pjesëmarrja e votuesve nuk arriti një të tretën e numrit të përgjithshëm të regjistruar, procesi i zgjedhjeve për kryetar komune do të përsëritet brenda 60 ditëve nga data e publikimit të rezultateve përfundimtare.
