Boksieri 30-vjeçar britanik Fabio Wardley mundi me KO teknik në raundin e 11-të neo-zelandezin Joseph Parker, duke i “rrëmbyer” titullin e përkohshëm të kampionit të botës në kategorinë WBO, në peshën e rëndë.

Sfida mes dy boksierëve u zhvillua në “O2 Arena” të Londrës, aty ku Wardley arriti të ishte më superior në ring. Britaniku është ende i pamposhtur në ring, pasi siguroi fitoren e 20-të në karrierë (ka edhe një barazim e asnjë humbje).

Parker (33 vjeç), dikur kampion bote në peshën e rëndë, nuk arriti të mbrojë titullin e përkohshëm, duke lëshuar pikërisht në fundin e duelit. Disa goditje të njëpasnjëshme të britanikut detyruan gjyqtarin ta ndalë Parker.

Neo-zelandezi edhe pse ende në këmbë, thuajse nuk po reagonte, ndaj dhe gjyqtari ndërhyri. Falë këtij triumfi, Wardley pret të përballet me ukrainasin Oleksandr Usyk vitin tjetër për titujt kampionë bote në peshën e rëndë.

The post Wardley befason Parker, triumfon me KO teknik dhe merr titullin e përkohshëm në peshën e rëndë appeared first on Telesport.