Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” Tetovë ka bërë të ditur se uji në Tetovë nuk është i përshtatshëm për pije, pasi siç thanë, ka ndodhur turbullim i burimit për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

N.P.K “Sharri” tha se gjatë ditës së nesërme do të kryhen edhe analizat e ujit dhe do të njoftohen qytetarët kur mund ta shfrytëzojnë ujin për pije.

“Ju njoftojmë se brenda një ore do të fillojë lëshimi i ujit në rrjetin e furnizimit në gjithë qytetin.
Megjithatë, për shkak të reshjeve të dendura që vazhdojnë edhe sonte në rajonin e Kodrës së Diellit, ka ndodhur turbullim i ujit në burimet e Sharrit, dhe uji vazhdon të jetë i turbullt dhe i papërshtatshëm për pije.
Qytetarët luten që ujin ta përdorin vetëm për nevoja elementare (si higjienë dhe pastrim), derisa të përfundojnë analizat e reja laboratorike.
🔹 Analizat e radhës do të kryhen nesër, pas së cilës qytetarët do të informohen menjëherë për rezultatet dhe cilësinë e ujit.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, thuhet në njoftimin e N.P.K “Sharri” – Tetovë.