RMV planifikon themelimin e Akademisë për administratë, por sfidat e reformës mbeten

Me themelimin e Akademisë për zhvillim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë, për herë të parë në historinë e vendit, trajnimi profesional i nëpunësve publikë do të rregullohet në mënyrë sistematike dhe institucionale, gjë që do të vendosë standarde të reja për shërbimin publik. Këtë e deklaroi sot ministri përkatës, Goran Minçev, në fjalimin e tij në diskutimin publik, të organizuar nga Ministria e Administratës Publike, me temën “Zbatimi i Ligjit për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrativë”, transmeton Portalb.mk.

Duke folur në këtë drejtim, ministri tha se me hapjen e Akademisë, çdo nëpunës administrativ, nga më i riu deri te më me përvojë, do të ketë mundësinë të përmirësohet, të fitojë njohuri të reja dhe të demonstrojë kapacitetin e tij profesional.

Lidhur me Ligjin për zhvillim profesional dhe trajnim, mbi të cilin bazohet themelimi i Akademisë, Minçev tha se ai vendos standarde të reja në shërbimin publik.

“Me themelimin e Akademisë, e cila do të strukturohet në kuadër të këtij projekti franko-maqedon, po krijojmë një institucion që do të jetë zemra e profesionalizimit të shërbimit publik. Ligji për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve publikë është një ndryshim themelor. Një ndryshim që krijon urë lidhëse për hendekun dekadash midis dëshirës për një administratë evropiane dhe realitetit që po ndërtojmë sot – një administratë moderne, profesionale dhe të përgjegjshme”, tha ministri.

Siç theksoi ai, Akademia për administratë publike, përveç ofrimit të trajnimit të strukturuar dhe zhvillimit të kompetencave për administratën ekzistuese, parashikon edhe trajnim dhe dhënien e një provimi për stafin e ri.

Në fakt, siç deklaroi ai, çdo punonjës i ri do të duhet t’i nënshtrohet trajnimit 120 orësh dhe do të japë provim para një komisioni ekspertësh.

“Ky është një partneritet midis shtetit dhe popullit të tij, midis institucionit dhe nëpunësit civil, midis dijes dhe interesit publik,” tha ministri.

Ambasadori francez në vend, Christophe Le Rigolaire, i cili gjithashtu mbajti fjalim në këtë aktivitet, konfirmoi mbështetjen e Francës për reformat e administratës publike, duke theksuar se modernizimi i saj është thelbësor jo vetëm për integrimin evropian, por edhe për qytetarët.

Reforma e administratës publike, siç tha ai, është e nevojshme për qytetarët që presin një administratë efikase, moderne dhe transparente.

“Besimi në administratë është themeli i besimit në demokraci”, tha Le Rigolaire.

Ai njoftoi projektin për të mbështetur themelimin e Akademisë, të planifikuar për vitin 2027, dhe nënvizoi se Franca do të bënte më të mirën e ekspertizës së saj në dispozicion.

“Trajnimi është thelbësor, por është edhe më e rëndësishme të përzgjidhen më të mirët, të vlerësohet puna e tyre dhe të mundësohet zhvillimi i tyre”, shtoi ambasadori.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN), Neda Maleska-Saçmaroska, theksoi rëndësinë e një kulture të të mësuarit në institucione, duke bërë thirrje për një ndryshim në perceptimin e trajnimit.

“Vetëm Akademia nuk është e mjaftueshme, është e nevojshme të ndërtohet një kulturë të të mësuarit që do t’u lejojë punonjësve të zhvillojnë kompetenca të reja”, tha Maleska-Saçmaroska.

Ajo paralajmëroi se trajnimi shpesh shihet si një formalitet, jo si një investim, dhe u bëri thirrje strukturave të menaxhimit ta trajtojnë atë si një investim me kthimin më të lartë.

“Investimi në njohuri është një investim në të ardhmen e vendit. Punonjësit duhet ta perceptojnë të mësuarit jo si një detyrim, por si një mundësi për zhvillim personal dhe profesional”, theksoi ajo.

Pakoja me ligjet të cilat priten të reformojnë administratën publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut përfshinë: Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, ligjin për nëpunës administrativ, ligjin për përsosjen profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ dhe ligjin për mbikëqyrje inspektuese.

Kujtojmë se, ministri Minçev gjatë promovimit të fushatës për reforma në administratë, theksoi se pakoja e re ligjore do të mundësojnë kritere më strikte për punonjësit e rinj, konkurrencë më të madhe dhe vlerësim të vazhdueshëm. Si shembull, ai vuri në dukje shfuqizimin e Këshillit të Inspektimit, i cili do të rezultojë në kursime të konsiderueshme buxhetore dhe racionalizim të burimeve publike.

“Ne po shfuqizojmë organet në përputhje me standardet evropiane, duke bërë kështu kursime të konsiderueshme në buxhet. Ky është vetëm fillimi i një procesi afatgjatë të racionalizimit”, pati thënë ministri.

Ligjet në fjalë janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, por edhe për procesin eurointegrues të vendit.

Kujtojmë se në prag të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 19 tetor në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratësu vërshua nga shpalljet për punësime. Kërkoheshin punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet ishin të hapura deri në fund të korrikut, kur hyjnë në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhet të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente.