Banka Popullore doli me projeksionet më të fundit për gjendjen makroekonomike. Sipas analizave të tyre, këtë vit 2025 ekonomia do të rritet për 3,5 për qind, që është pritshmëri e njëjtë si e Qeverisë, ndërsa për inflacionin ka një divergjencë serioze në projeksione. Qeveria shpreson për 2,8 për qind në nivel vjetor, ndërsa nga Banka Popullore presin që këtë vit ta përfundojnë me inflacion prej 3,9 për qind, ose për 0,9 pikë përqindjeje më shumë në krahasim me projeksionin e prillit.
“Rruga për rritjen e ekonomisë vendase është në ngritje. Rritja, siç përmenda më parë, për vitin 2025 është 3,5%. Pritjet e pandryshuara për rritje prej 4% afatmesëm. Mendoj për atë që kemi planifikuar ose pritur me projeksionet e prillit. Inflacioni nga viti i ardhshëm do të ndjekë rrugë në ulje, përshtatje. Afatmesëm do të kthehet në mesataren historike prej 2%”, tha Sllaveski.
Kjo do të thotë se në vitin 2026 Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet për 4 për qind, ndërsa inflacioni do të jetë 2,5 për qind. Ndërkaq, për momentin norma bazë e interesit, nga e cila varen edhe normat e kredive për qytetarët dhe për kompanitë, mbetet e pandryshuar në 5,35 për qind. Banka Popullore lë hapësirë për uljen e saj, por vetëm nëse plotësohen kushte të qarta që tregojnë se presionet mbi çmimet dhe pritjet janë ulje e qëndrueshme.
“Megjithatë, nëse vazhdojnë lëvizjet pozitive me uljen e normës së inflacionit edhe në muajt në vijim, dhe në mungesë të ndërhyrjeve administrative në vendosjen e pagave, Banka Popullore është e gatshme të reagojë në mënyrë adekuate drejt normalizimit të mëtejshëm të politikës monetare”, tha Sllaveski.
Kjo do të thotë se nëse nuk ka rritje të pagave me vendim të qeverisë, atëherë është e mundur ulja e normës bazë të interesit. Guvernatori njoftoi se kreditimi do të jetë me rritje të qëndrueshme dhe nuk deshi të komentojë raportin negativ të Komisionit Evropian për politikat ekonomike të Qeverisë.

